#Lajme

KQZ: Deri tani janë rinumëruar 64 nga 914 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat është marrë vendim paraprak.

Sipas njoftimit zyrtar, nga fillimi i rinumërimit të martën, më 13 janar 2026, në ora 18:00, e deri të mërkurën, më 14 janar 2026, në ora 16:00, janë rinumëruar gjithsej 64 nga 914 vendvotime të përfshira në këtë proces.

Vendvotimet e rinumëruara deri më tani i përkasin komunave të ndryshme, përkatësisht: Deçan (5 vendvotime), Gjakovë (15), Gllogoc (6), Gjilan (13) dhe Dragash (25).

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet e rinumërimit publikohen pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim veçmas dhe janë të qasshme në platformën zyrtare të rezultateve.

Procesi i rinumërimit do të vazhdojë deri në përfundimin e rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përcaktuara me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.