#Lajme

Hykmete Bajrami jep dorëheqje nga nënkryetare e LDK-së, kërkon largimin e Lumir Abdixhikut

Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke kërkuar njëkohësisht edhe dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Lajmi është konfirmuar nga dy burime të ndryshme brenda kryesisë së LDK-së.

Sipas burimeve, Bajrami vendimin e saj e ka bërë të ditur gjatë një takimi joformal të strukturave drejtuese të partisë, i mbajtur të martën pasdite. Ajo ka kërkuar që, përveç saj, dorëheqje të japin edhe kryetari Abdixhiku dhe anëtarët e kryesisë së ngushtë, duke argumentuar se udhëheqja aktuale ka humbur legjitimitetin pas rezultatit zgjedhor të LDK-së në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Një pjesëmarrës në takim ka deklaruar se Bajrami ka theksuar nevojën që të veprohet në përputhje me standardet e deritanishme të vendosura brenda LDK-së, duke marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor.

Gazeta KOHA ka tentuar ta kontaktojë Bajramin për koment, por ajo nuk ka qenë e qasshme për thirrje telefonike dhe nuk ka kthyer përgjigje as në pyetjet e dërguara me SMS. Arsyet e dorëheqjes, Bajrami i ka përfshirë në një letër zyrtare të dorëzuar në parti.

Para mbajtjes së takimit, ajo kishte refuzuar të prononcohej për media, duke thënë se qëndrimin e saj do ta shpaloste pas takimit, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka marrë 13.23 për qind të votave, rreth pesë pikë përqindje më pak krahasuar me zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025. Në legjislaturën e dhjetë, partia do të ketë 15 deputetë, pesë më pak se në përbërjen e kaluar. Hykmete Bajrami ka qenë kandidatja e dytë më e votuar e LDK-së, me rreth 57 mijë vota.