Donyell Malen drejt Romës, marrëveshja me Aston Villan drejt finalizimit
Sulmuesi holandez Donyell Malen është shumë pranë transferimit te Roma, ku do të kalojë në formë huazimi nga Aston Villa. Marrëveshja mes klubeve është mbyllur dhe lojtari është autorizuar të udhëtojë sot drejt kryeqytetit italian.
Sipas detajeve të marrëveshjes, Roma do të paguajë një tarifë huazimi prej 2 milionë funtesh, ndërsa është përfshirë edhe një klauzolë detyrimi për blerje në vlerë prej 25 milionë funtesh, e cila plotëson kërkesat e Aston Villas. Negociatat janë udhëhequr nga drejtori sportiv i Romës, Ricky Massara.
Lajmi është konfirmuar edhe nga eksperti italian i merkatos, Fabrizio Romano, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se marrëveshja është arritur mes palëve.
“Marrëveshja për Donyell Malen te AS Roma është mbyllur. Aston Villa dhe agjentët e lojtarit kanë rënë dakord. Malen është i autorizuar të fluturojë për në Romë sot, me huazim prej 2 milionë funtesh dhe klauzolë blerjeje prej 25 milionë funtesh që bëhet e detyrueshme”, ka shkruar Romano.
Malen, i cili ka pasur hapësira të kufizuara në Aston Villa që nga transferimi i tij në janar 2025, pritet të nisë një kapitull të ri në Serie A nën drejtimin e trajnerit të Romës, Gian Piero Gasperini.
Sulmuesi 26-vjeçar pritet t’i sjellë shpejtësi dhe dinamikë repartit ofensiv të Romës, e cila synon të përmirësojë pozicionin në tabelë dhe të mbetet në garë për një vend që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.











