#Lajme

KQZ paralajmëron mundësi zgjerimi të procesit të rinumërimit të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të votave mund të zgjerohet edhe në vendvotime të tjera, në varësi të gjetjeve që do të dalin gjatë rinumërimit aktual. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, theksoi se një vendim i tillë mund të merret nëse evidentohen parregullsi shtesë.

Një ditë më parë, KQZ-ja vendosi të rinumërojë 914 kuti votimi nga zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor, për shkak të dyshimeve për mospërputhje të votave ndërmjet kandidatëve për deputetë nga subjekte të ndryshme politike. Ky vendim përfshin rreth 36 për qind të vendvotimeve në nivel vendi.

Sipas Elezit, në 10 komuna do të rinumërohen të gjitha vendvotimet, ndërsa në 28 komuna të tjera procesi do të përfshijë vetëm 10 për qind të vendvotimeve. Ai shtoi se, nëse gjatë këtij procesi konstatohen mospërputhje të reja, KQZ-ja mund të marrë vendim për rinumërim shtesë.

Zëdhënësi i KQZ-së sqaroi se vendimi është marrë pas verifikimit të votave të kandidatëve në 33 vendvotime, ku u vërejtën dallime mes rezultateve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit dhe numrit real të votave në fletëvotime.

Sipas tij, qëllimi i rinumërimit është garantimi i saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor, me synimin që rezultati përfundimtar të reflektojë në mënyrë të drejtë dhe të besueshme vullnetin e qytetarëve.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *