Irani paralajmëron kundërpërgjigje të ashpër ndaj çdo sulmi të jashtëm
Irani ka ashpërsuar tonin ndaj çdo ndërhyrjeje të mundshme ushtarake, duke deklaruar se forcat e armatosura të vendit janë në gatishmëri të plotë për luftë. Ministri i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, tha se Teherani ka përgatitur “shumë surpriza” për armiqtë dhe se çdo agresion do të përballet me një reagim të fortë dhe të dhimbshëm.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të larta, pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për ndërhyrje ushtarake në rast se Irani nis ekzekutimin e protestuesve. Sipas Nasirzadeh, vendi do të mbrohet “me të gjithë forcën dhe deri në pikën e fundit të gjakut”.
Ministri iranian theksoi gjithashtu se çdo shtet që mbështet ose ndihmon një sulm kundër Iranit do të konsiderohet “objektiv legjitim”. Ai shtoi se dëmet e shkaktuara gjatë përplasjes 12-ditore me Izraelin në muajin qershor janë riparuar dhe se kapacitetet e prodhimit ushtarak janë forcuar.
Retorika e fortë ushtarake vjen në një kohë kur Irani po përballet me një krizë të brendshme, të shënuar nga protesta masive dhe përplasje me forcat e sigurisë, çka ka rritur presionin ndërkombëtar ndaj Teheranit. Në këtë kontekst, autoritetet iraniane po përpiqen të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri për çdo skenar të mundshëm.










