#Lajme

LDK zhvillon takim të gjatë të kryesisë, në fokus rezultati zgjedhor dhe hapat e ardhshëm

Kryesia e ngushtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës po mban një takim të zgjatur, i cili ka kaluar mbi tri orë diskutime dhe ende nuk ka përfunduar.

Në këtë takim, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po diskuton me nënkryetarët dhe disa nga figurat kryesore të partisë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, si dhe për veprimet që pritet të ndërmerren në vazhdim.

Nga LDK-ja është bërë e ditur se takimi ka karakter konsultues dhe synon të bëhet një analizë e performancës zgjedhore të partisë. Zyrtarët janë treguar të rezervuar sa i përket mundësisë së dorëheqjes së kryetarit aktual.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 13.11 për qind të votave, që përkthehen në 15 ulëse në Kuvend.