Specialja sqaron pranimin e dokumenteve nga Serbia pas reagimit të IAP
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë reaguar pas ankesës së Avokatit të Popullit, i cili në një letër drejtuar kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka shprehur shqetësime lidhur me pranimin e disa të dhënave të ardhura nga Serbia.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Gjykata Speciale thekson se vendimi për të pranuar prova nga Prokuroria apo Mbrojtja nuk nënkupton automatikisht se gjykatësit do t’u japin atyre peshë apo besueshmëri. Sipas Speciales, vlerësimi i provave bëhet vetëm në fazën e aktgjykimit, pas përfundimit të paraqitjes së të gjitha provave.
Tutje, në reagim thuhet se trupi gjykues shqyrton secilën provë në kontekst të tërësisë së materialit të administruar gjatë gjykimit, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm dhe të balancuar të fakteve.
Gjykata gjithashtu sqaron se rregullorja procedurale nuk lejon që një verdikt fajësie të mbështetet vetëm në dëshminë e një dëshmitari që nuk ka qenë i disponueshëm për t’u marrë në pyetje nga Mbrojtja, duke nënvizuar standardet e drejtësisë dhe procesit të rregullt gjyqësor.











