Dy serbë dhe një shqiptar të plagosur në Deçan, arrestohet i dyshuari
Gjatë orëve të para të mëngjesit, në Deçan është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal. Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 00:18, kur njësitet policore janë njoftuar dhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur tre persona të plagosur, dy nga komuniteti serb dhe një nga komuniteti shqiptar. Të lënduarit fillimisht janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, e më pas në Emergjencën e Spitalit të Pejës për trajtim të mëtejmë.
Në lidhje me rastin, një person i dyshuar është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë. Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë intervenuar të gjitha njësitë kompetente, ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri dhe një karikator me nëntë fishekë.











