Ferizaj: Qytetari gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici
Një akt i rrallë ndershmërie është shënuar në Ferizaj, ku një qytetar ka dorëzuar në polici një shumë parash të gjetura në rrugë. Bëhet fjalë për A. Cakollin, 61 vjeç, i cili paratë i kishte gjetur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” dhe menjëherë i ka dorëzuar në stacionin policor të qytetit.
Ngjarja ka ndodhur më 12 janar 2026, rreth orës 16:00. Sipas Policisë, shuma e parave është numëruar në prani të qytetarit, ndërsa për të gjitha procedurat është njoftuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar shënim zyrtar. Aktualisht, mjetet e gjetura ruhen në stacionin policor të Ferizajt.
Policia Rajonale ka bërë thirrje që pronari i ligjshëm i parave të paraqitet në stacionin policor për verifikim dhe tërheqjen e tyre. Po ashtu, autoritetet kanë shprehur falënderim për gjestin shembullor të qytetarit, duke e cilësuar atë si një akt përgjegjshmërie, humanizmi dhe respekti ndaj ligjit.
Ky veprim, sipas Policisë, përbën një shembull pozitiv për komunitetin dhe nxit vlerat e ndershmërisë qytetare.











