#Lajme

Importet e Kosovës kapin shifrën 7 miliardë euro në vitin 2025, Gjermania kryeson listën e partnerëve tregtarë

Kosova po vazhdon të mbetet thellësisht e varur nga importet, duke e rritur edhe më tej deficitin tregtar. Sipas të dhënave të Institutit GAP, të bazuara në statistikat e Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2025 vlera e mallrave të importuara ka arritur rreth 7 miliardë euro.

Në të njëjtën periudhë, eksportet e Kosovës kanë qenë dukshëm më të ulëta, me gjithsej 929 milionë euro, çka dëshmon për një pabarazi të theksuar mes importit dhe eksportit. Krahasuar me vitet paraprake, importet kanë shënuar rritje të vazhdueshme: në vitin 2024 ato ishin 6.38 miliardë euro, ndërsa në vitin 2023 rreth 5.88 miliardë euro.

Sa i përket partnerëve kryesorë tregtarë, Gjermania renditet në vendin e parë si shteti nga i cili Kosova importon më së shumti mallra, me një vlerë prej 1 miliard euro. Pas saj vjen Turqia me 926 milionë euro, e ndjekur nga Kina me 920 milionë euro. Në listë pasojnë Italia me 368 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 350 milionë euro, Shqipëria me 286 milionë euro, Greqia me 279 milionë euro, Polonia me 273 milionë euro, Serbia me 234 milionë euro dhe India me 185 milionë euro.

Ndryshe nga viti 2025, gjatë vitit 2024 Turqia ishte partneri kryesor i Kosovës për nga importet, ndërsa Gjermania renditej në vendin e dytë.