#Lajme

Presidentja Osmani dekoron Hasan Aratin me medalje presidenciale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë medalje presidenciale për ish-basketbollistin dhe administratorin sportiv Hasan Arat, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në sportin ndërkombëtar dhe për rolin e tij në kandidimin e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Gjatë ceremonisë, Osmani theksoi rëndësinë e angazhimit të Aratit në promovimin e sportit dhe të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq, Arat u shpreh i nderuar me këtë vlerësim, duke theksuar se puna për promovimin e Kosovës është bërë me përkushtim të madh. Ai shtoi se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen krenarë për sukseset sportive dhe për faktin se vendi do të jetë mikpritës i Lojërave Mesdhetare pas katër vitesh.

Hasan Arat është biznesmen dhe administrator sportiv nga Turqia me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij, përveçse ka qenë basketbollist, ka mbajtur edhe pozita të larta drejtuese në sport, përfshirë anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënkryetar i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakow 2023, si dhe udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për Lojërat Olimpike 2020. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e komisioneve të ndryshme të IOC dhe ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Atletikës dhe, së fundmi, president i klubit turk të futbollit Beshiktash gjatë viteve 2023–2024.

Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë edhe përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *