#Lajme

Gjysmëvjetori i dytë nis sot në shumicën e shkollave, disa komuna e shtyjnë fillimin

Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2025/2026 nis sot në shumicën e shkollave të Kosovës, megjithatë në disa komuna fillimi i mësimit është shtyrë për shkak të motit të keq dhe dëmeve në infrastrukturë.

Si pasojë e reshjeve të dendura, përmbytjeve dhe vështirësive në qarkullim, komunat e Malishevës, Drenasit dhe Fushë Kosovës kanë marrë vendime për vonimin e procesit mësimor.

Në Komunën e Malishevës, autoritetet kanë njoftuar se mësimi do të rifillojë më 14 janar 2026, pasi moti i pafavorshëm ka dëmtuar rrugët dhe ka vështirësuar lëvizjen. Edhe në Drenas, gjysmëvjetori i dytë është shtyrë deri të mërkurën, për shkak të dëmeve në objektet shkollore dhe infrastrukturën rrugore.

Ndërkohë, Komuna e Fushë Kosovës ka bërë të ditur se mësimi në të gjitha shkollat do të fillojë më 19 janar 2026.

Në pjesën më të madhe të vendit, përfshirë edhe Prishtinën, mësimi nis sot. Komuna e Prishtinës ka konfirmuar se të gjitha shkollat janë të hapura dhe se janë siguruar kushtet për zhvillimin normal të procesit mësimor dhe për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.

Nga ana tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kërkuar që fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të shtyhet për disa ditë edhe në nivel vendi, për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe problemeve me ngrohjen në disa shkolla. Ai ka theksuar se situata duhet të analizohet me kujdes nga drejtoritë arsimore dhe drejtuesit e shkollave, në mënyrë që mësimi të fillojë në kushte të përshtatshme.