#Sport

Përleshje mes tifozëve të Dinamo Zagrebit dhe Cërvena Zvezdës në pushimoren Marsonija

Në pushimoren kroate Marsonija, në afërsi të Slavonski Brodit, të shtunën ka ndodhur një përleshje mes tifozëve kroatë të Dinamo Zagrebit, të njohur si Bad Blue Boys (BBB), dhe tifozëve serbë të Cërvena Zvezdës, Delije.

Sipas raportimeve të mediave kroate, tifozët e Dinamos u kanë dalë në pritë tifozëve serbë dhe kanë sulmuar një nëngrup të Delije, të njohur si “Orthodox Boys”, të cilët ishin duke udhëtuar drejt Beogradit.

Gjatë incidentit, tifozët zagrebas kanë tentuar t’ua marrin transparentin tifozëve serbë, por nuk kanë arritur. Megjithatë, raportohet se janë marrë disa veshje dhe sende të tjera.

Nuk ka ende informacione zyrtare për të lënduar apo për ndërhyrjen e policisë, ndërsa rasti ka tërhequr vëmendje të madhe në mediat rajonale.