#Lajme

Veliu: Rezultati i zgjedhjeve për LDK-në është alarm për reflektim dhe përgjegjësi politike

Agim Veliu ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë nga qytetarët që, sipas tij, nuk duhet anashkaluar.

Veliu ka theksuar se humbjet e rënda elektorale nuk mund të relativizohen apo të kalohen në heshtje, duke nënvizuar se në demokraci përgjegjësia është thelbësore për ruajtjen e besimit. Ai ka vlerësuar se dorëheqja nuk përfaqëson dobësi, por një akt force dhe pjekurie politike.

Sipas tij, LDK-ja ka nevojë për një analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes, për hapje të brendshme dhe funksionim real të demokracisë brenda partisë, si dhe për një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet, që do t’i rikthente shpresën anëtarësisë dhe elektoratit.

Veliu ka shtuar se koha kërkon vendime të guximshme dhe ndryshim të vërtetë, e jo mbajtje të status quo-së, duke theksuar se LDK-së i nevojitet një ekip fitues dhe jo kandidatë të përhershëm.