#Lajme

Gjendja e rrugëve pas reshjeve, Durmishi njofton për bllokimet dhe pastrimin

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për gjendjen e rrugëve pas reshjeve të mëdha të shiut dhe borës që kanë shkaktuar grumbullim uji dhe rrëshqitje dheu në disa segmente rrugore.

Sipas Durmishit, në rrugën Prishtinë – Ferizaj ka ende bllokime për shkak të ujit të grumbulluar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike. Ai ka theksuar se ekipet e tij janë angazhuar për pastrimin e të gjitha rrugëve nën kompetencën e Ministrisë dhe janë të gatshme të ndihmojnë institucionet lokale ku ka nevojë.

Ministri ka bërë thirrje që qytetarët të vozisin me kujdes dhe t’i përshtaten kushteve të rrugës, veçanërisht me reshjet e borës dhe ngricat e mundshme gjatë natës.