#Lajme

Serbia shpreh shqetësim për armatosjen e Kosovës

Zyrtarë serbë kanë shprehur shqetësim për armatosjen e Kosovës, duke e cilësuar si rrezik për sigurinë e Serbisë. Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka deklaruar se investimet e Kosovës në pajisje dhe armatim, që sipas tij arrijnë në rreth 430 milionë euro gjatë katër viteve të fundit, tregojnë një proces të intensifikuar militarizimi.

Në një intervistë për RTS, Drecun tha se pajisja dhe stërvitja e Forcës së Sigurisë së Kosovës është rritur ndjeshëm që nga faza përfundimtare e transformimit të saj, duke pretenduar se kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së. Ai përmendi gjithashtu rritjen e buxhetit ushtarak, marrëveshjet bilaterale dhe pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së në stërvitje ndërkombëtare si faktorë shtesë shqetësimi.

Ndërkohë, më 6 janar, Kosova ka pranuar një dërgesë të re të sistemeve raketore anti-tank OMTAS nga Turqia, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror Roketsan. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka bërë të ditur se këto sisteme moderne me rreze të mesme veprimi synojnë rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe fleksibilitetit operacional të ushtrisë së Kosovës, duke mbuluar skenarë dhe terrene të ndryshme të kërcënimit.