#Sport

Xhaka shkëlqen, Sunderland pas penalltive e eliminon Evertonin nga FA Cup

Sunderland ka siguruar kualifikimin në raundin tjetër të FA Cup, pasi e mposhti Evertonin pas ekzekutimit të penalltive. Ndeshja u mbyll 1-1 pas kohës së rregullt, ndërsa në serinë e penalltive vendasit triumfuan bindshëm 3-0.

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka ishte një nga protagonistët kryesorë të takimit, duke ofruar një paraqitje shumë të mirë. Ai u vlerësua me notën 8.4 nga “SofaScore”, nota e dytë më e lartë në skuadër pas portierit Roefs.

Xhaka ishte i saktë edhe nga pika e bardhë, duke realizuar penalltinë e dytë për Sunderlandin, ndërsa lojtarët e Evertonit – Beto, Barry dhe Garner – dështuan në tentimet e tyre.

Me këtë fitore, Sunderland siguron “biletën” për në fazën e 1/16 së finales dhe pritet të mësojë së shpejti kundërshtarin e radhës. Kujtohet se fituesi i FA Cup siguron gjithashtu pjesëmarrjen në Ligën e Evropës në sezonin e ardhshëm.