Gjyqi në Hagë drejt fazës vendimtare, Tromp: Vendimi për katërshen e UÇK-së do të ketë pasoja të mëdha
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po hyn në fazën më të rëndësishme, ndërsa në pranverë pritet të shpallet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Ky konsiderohet viti kyç për katërshen, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.
Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp, ka vlerësuar se epilogu i këtij rasti është i vështirë të parashikohet, por thekson se një vendim në favor të akuzave do të kishte pasoja serioze për Kosovën. Ajo ka kritikuar Gjykatën Speciale për mungesë efikasiteti dhe zvarritje të proceseve.
Sipas Tromp, nga gjashtë personat e akuzuar nga Specialja, vetëm rasti i Salih Mustafës ka përfunduar plotësisht, ndërsa ai i Pjetër Shalës është drejt finalizimit. Rasti kryesor, që përfshin katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, ende nuk ka marrë as vendim të shkallës së parë dhe pritet të përfundojë më së herëti gjatë vitit 2026.
Ajo ka ngritur shqetësime edhe për trajtimin e të akuzuarve, veçanërisht për refuzimin e vazhdueshëm të lirimit të përkohshëm apo lejeve humanitare, duke vlerësuar se kjo bie ndesh me parimet e gjykimit të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë.
Shqetësime të ngjashme ka shprehur edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili ka vënë në dyshim respektimin e standardeve të një procesi të drejtë dhe të paanshëm nga ana e Gjykatës Speciale.
Dhomat e Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por funksionojnë në Hagë me staf ndërkombëtar, financohen kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe janë themeluar në vitin 2015. Ndërkohë, kritika ka pasur edhe për pranimin e dokumenteve nga autoritetet e Serbisë si prova materiale në këto procese.











