#Lajme

Edhe dy muaj paraburgim për Fatmir Shehollin, i dyshuar për spiunazh – Gjykata Themelore e Prishtinës vendos vazhdimin e masës

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur të vazhdojë për dy muaj paraburgimin e Fatmir Shehollit, i arrestuar më 9 tetor 2025 dhe i dyshuar për veprën penale të spiunazhit. Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila bëri të ditur se masa është vendosur pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sheholli dyshohet se ka vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiq, duke mbledhur dhe shpërndarë informacion rreth pronave, aktiviteteve biznesore dhe funksionimit të institucioneve në Kosovë. Sipas Prokurorisë Speciale, ai ishte rekrutuar nga BIA dhe kishte ofruar ndihmë të vazhdueshme, duke dërguar informacione edhe në media online në Kosovë.

Sheholli ka qenë nën hetime që nga gushti i vitit 2024 dhe ka qenë në përgjim fizik. Gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës në banesën e tij janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera të rëndësishme për hetimin.