Abdixhiku thërret drejtuesit e LDK-së, priten përplasje për humbjen në zgjedhje
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ftuar për të martën në një takim nënkryetarët e partisë dhe kryetarët e komunave që udhëhiqen nga LDK-ja, në një moment kur brenda kësaj force politike po rriten tensionet pas disfatës zgjedhore.
Sipas burimeve brenda partisë, në këtë mbledhje nuk do të marrë pjesë e gjithë kryesia, pasi pritet që diskutimet të jenë të forta, me kritika dhe akuza lidhur me përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor. Takimi shihet si një hap i parë për të ulur tensionet mes strukturave lokale dhe atyre qendrore.
Pas këtij takimi, pritet të mblidhet edhe Kryesia e LDK-së, ku do të shqyrtohen hapat e ardhshëm politikë, përfshirë trajtimin institucional të situatës dhe caktimin e datës së Kuvendit të partisë, që konsiderohet vendimtar për të ardhmen e udhëheqjes.
Ndërkohë, janë shtuar zërat për dorëheqjen e Abdixhikut pas humbjes së thellë në zgjedhje, por burimet bëjnë të ditur se figura të ndryshme brenda LDK-së po angazhohen për ta kundërshtuar këtë ide, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatin është kolektive.
Situata në LDK mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet e ditëve në vijim pritet të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm politik të partisë.











