Xabi Alonso tregohet i kujdesshëm me Mbappén para finales ndaj Barcelonës
Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka folur para mediave në prag të finales së Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës, duke theksuar se vendimi për aktivizimin e Kylian Mbappés do të merret me shumë kujdes. Ai nënvizoi se stafi teknik nuk do të rrezikojë pa nevojë dhe se gjendja e sulmuesit francez do të vlerësohet pas seancës stërvitore.
“Duhet matur rreziku. Kur të stërvitemi sot do t’i kemi të gjitha informacionet për të vendosur nëse Mbappé mund të luajë nga minuta e parë apo të aktivizohet më pak. Nuk marrim vendime të pamenduara, është një rrezik i kontrolluar”, u shpreh Alonso.
Tekniku madrilen shtoi se plani fillestar ishte të mos përshpejtohej rikthimi i Mbappés, por në rast kualifikimi në finale, gjithçka do të varej nga ndjesitë e lojtarit. Ai theksoi se ekipi është i përgatitur për një finale që kërkon menaxhim të mirë emocional, mental dhe futbollistik.
Sa i përket lodhjes për shkak të 24 orëve më pak pushim, Alonso pranoi se kjo është pjesë e shortit dhe se Reali duhet ta shfrytëzojë kohën në dispozicion për t’u përgatitur sa më mirë ndaj një kundërshtari të fortë si Barcelona.











