Barcelona mund ta huazojë Casadon në janar për t’i dhënë më shumë minuta loje
Barcelona po shqyrton mundësinë e huazimit të mesfushorit Marc Casado, nëse lojtari kërkon të largohet për të siguruar më shumë minuta lojë para mbylljes së afatit kalimtar të janarit, raporton Mundo Deportivo.
Talenti i dalë nga akademia katalanase pati një sezon të shkëlqyer vitin e kaluar, por këtë edicion po përballet me një rënie të ndjeshme të hapësirave, sidomos pas rikthimit të afërt të Gavit nga lëndimi. Me rikthimin në formë të plotë të Frenkie De Jong dhe konkurrencën nga Pedri, Eric Garcia dhe Marc Bernal, Casado ka grumbulluar vetëm 786 minuta në 18 paraqitje këtë sezon.
Përveç kësaj, transferimi i Joao Cancelos e përjashton mundësinë që Casado të përdoret si alternativë në krahun e djathtë të mbrojtjes. Stafi teknik i Barcelonës nuk po e shtyn drejt largimit, por klubi nuk do të bënte pengesa nëse do të vinte një ofertë e përshtatshme dhe lojtari do të dëshironte të huazohej. Deri tani, Casado ka refuzuar oferta gjatë verës dhe nuk ka treguar shenja se dëshiron të largohet këtë muaj.











