Zgjedhja e presidentit të ri mbetet e paqartë, partitë pa qëndrime të qarta
Afati për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës është 4 marsi, ndërsa mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill. Nëse deri atëherë nuk arrihet zgjedhja, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Aktualisht, skena politike mbetet e paqartë. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë shprehur gatishmëri për të votuar një emër konsensual, por vetëm në kuadër të një marrëveshjeje politike. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka bërë të ditur nëse do ta mbështesë Vjosa Osmanin edhe për një mandat të dytë, apo nëse synon një marrëveshje me partitë tjera për një kandidat të përbashkët.
Nga LDK-ja është bërë e ditur se nuk ndihen të obliguar të përkrahin kandidaturën e Osmanit, duke theksuar se preferojnë një emër mbi partitë politike. Edhe PDK-ja ka konfirmuar se do ta mbështesë zgjedhjen e një presidenti të ri vetëm përmes një marrëveshjeje politike.
Analistët vlerësojnë se procesi do të varet nga gatishmëria e Lëvizjes Vetëvendosje për kompromis dhe nga qëndrimi i opozitës përballë mundësisë së zgjedhjeve të reja.
Sipas Kushtetutës, në dy rundet e para për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota të deputetëve. Në rundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, por me kusht që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë. Nëse deri më 4 mars nuk ka zgjedhje, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.











