#Sport

KB Bashkimi dënohet për sulmin ndaj Dardan Berishës

Klubi i Basketbollit Bashkimi është gjobitur me 3.200 euro dhe do të luajë 3 ndeshje pa praninë e tifozëve në tribunën ballore qendrore, pas incidentit të mbrëmshëm ku disa individë sulmuan basketbollistin e Pejës, Dardan Berisha.

Në njoftimin e klubit, theksohet se veprimet e pakicës së tifozëve nuk përfaqësojnë vlerat e Bashkimit dhe shumicën dërrmuese të mbështetësve të tij. Klubi distancohet nga çdo sjellje e papranueshme dhe e dhunshme, duke theksuar se incidenti i shkaktuar nga disa individë ka dëmtuar reputacionin e klubit dhe qytetit të Prizrenit.

Për të parandaluar ngjarje të ngjashme, qendra sportive do të monitorohet me kamera sigurie për të identifikuar dhe ndaluar hyrjen e personave të papërgjegjshëm në të ardhmen. KB Bashkimi u bën thirrje tifozëve të mbështesin skuadrën me përgjegjësi dhe respekt për sportin.