PZAP hedh poshtë ankesën e PDK-së për votat me postë nga diaspora
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pasafatshme ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kërkonte anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025.
PZAP, i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj, konstatoi se ankesa ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor prej 48 orësh, pasi shkelja e supozuar kishte ndodhur më 2 dhe 5 janar 2026, ndërsa ankesa u dorëzua më 8 janar 2026. Për këtë arsye, paneli e hodhi ankesën pa e shqyrtuar lëndën e saj.
PDK pretendonte se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte shkelur ligjin duke numëruar fletëvotime të mbërritura pas afatit. Në përgjigje, KQZ theksoi se ndryshimi i afateve ishte i nevojshëm për të garantuar të drejtën e votës për diasporën për shkak të festave dhe vonesave postare, duke respektuar ligjin që i lejon KQZ-së të ndryshojë afatet në zgjedhje të parakohshme.
PDK ka të drejtë të ankohet ndaj vendimit të PZAP në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve nga njoftimi i vendimit.











