Sulm me shufër metalike në Drenas, i dyshuari përfundon në ndalim
Një mosmarrëveshje e nisur në rrjetet sociale ka eskaluar në dhunë fizike në Drenas, ku një person ka mbetur i lënduar. Rasti ka ndodhur më 8 janar 2026, rreth orës 14:50.
Sipas burimeve, i dyshuari E.F. dyshohet se ka sulmuar S.L., duke e goditur me shufër metalike në pjesën e shpinës. Viktima ka deklaruar në polici se konflikti ka pasur si shkak një koment të mëhershëm në Facebook, i cili më pas ka çuar në përballje fizike. Si pasojë, ai ka pësuar lëndime të lehta trupore, por nuk ka kërkuar trajtim mjekësor, duke theksuar se ndihet i rrezikuar nga i dyshuari.
Pas raportimit të rastit si “rrahje në progres”, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar të dy personat në Stacionin Policor në Drenas. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa policia ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si vepër penale “Sulmi” dhe i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë. Hetimet për rastin janë duke vazhduar.











