Enzo Maresca favorit për stolin e Manchester Cityt, synon rikthimin e Cole Palmer
Raportimet e fundit nga mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se Enzo Maresca po shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Manchester Cityt, në rast se Pep Guardiola vendos të largohet në fund të këtij sezoni.
Pas ndarjes nga Chelsea më 1 janar, trajneri italian konsiderohet një profil ideal për pankinën e “Etihad Stadium”, veçanërisht për shkak të filozofisë së lojës dhe lidhjes së tij me stilin e ndërtuar nga Guardiola. Drejtuesit e klubit thuhet se po përgatiten për një tranzicion të mundshëm, duke kërkuar vazhdimësi taktike dhe identiteti.
Në këtë kontekst, Maresca ka përcaktuar tashmë një prioritet të qartë për merkaton e verës. Sipas burimeve pranë klubit, ai ka kërkuar rikthimin e Cole Palmer, një lojtar që e njeh mirë ambientin e Manchester Cityt dhe që sot është shndërruar në një nga emrat më të spikatur të futbollit evropian.
Për Marescan, Palmer nuk shihet vetëm si një përforcim, por si pika kyçe rreth së cilës synon të ndërtojë fazën sulmuese të ekipit në epokën pas Guardiolës. Kërkesa e tij tashmë është në tavolinën e drejtuesve të Cityt, të cilët po analizojnë aspektin financiar të një rikthimi të mundshëm të ish-produktit të akademisë së klubit.
Marrëdhënia e fortë mes Marescas dhe Palmer, e ndërtuar gjatë periudhës së tyre te Chelsea, konsiderohet një element vendimtar për realizimin e këtij projekti. Nën drejtimin e trajnerit italian, Palmer u shndërrua në lider të ekipit londinez dhe ishte protagonist në fitimin e Ligës së Konferencës dhe Kupës së Botës për Klube.
Pjekuria e fituar nga lojtari pas këtyre sukseseve, si dhe njohja e filozofisë së Manchester Cityt, do ta bënin rikthimin e tij më të lehtë, ndërsa Maresca synon të përsërisë formulën fituese duke u mbështetur te kreativiteti, vizioni dhe instinkti për gol i Palmer.











