Hansi Flick synon të ruajë rekordin perfekt në finale para përballjes me Real Madridin
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, do të kërkojë të vazhdojë serinë e tij mbresëlënëse pa humbje në finale, teksa ka udhëhequr ekipin katalanas drejt finales së Superkupës së Spanjës.
Tekniku gjerman ka një rekord të përkryer në ndeshjet finale, pasi gjatë periudhës së tij te Bayern Munich drejtoi ekipin në pesë finale dhe i fitoi të gjitha. Pas transferimit te Barcelona në vitin 2024, Flick ka vazhduar të mbajë të njëjtin ritëm, duke triumfuar në dy finale të tjera.
Tashmë, Barcelona është përballë një tjetër sfide vendimtare, ku të dielën në Xheda do të ndeshet me rivalin e përjetshëm, Real Madridin, në finalen e Superkupës së Spanjës. Flick synon të mbrojë rekordin e tij të paprekur dhe t’i shtojë edhe një trofe tjetër listës së sukseseve.
Deri më tani, trajneri gjerman ka fituar trofe të rëndësishëm si Kupa e Gjermanisë, Liga e Kampionëve, Superkupa e Evropës, Superkupa e Gjermanisë, Kupa e Botës për Klube, Superkupa e Spanjës dhe Kupa e Mbretit, duke u konfirmuar si një nga trajnerët më të suksesshëm në ndeshjet finale.











