SHBA-të shprehin gatishmëri për dialog strategjik me qeverinë e re të Kosovës, por kërkojnë veprime konkrete
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pritet formimi i qeverisë së re të Kosovës. Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se shpreson të avancojë partneritetin me qeverinë e ardhshme, duke përfshirë rifillimin e dialogut strategjik të pezulluar në vitin 2025. Shtetet e Bashkuara theksuan se kjo do të kërkojë veprime konkrete për të përparuar agjendën e përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet ekonomik.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se bashkëpunimi me SHBA-të do të vazhdojë, duke u fokusuar në mbrojtje, zhvillim dhe çështje me interes të përbashkët.
Politologu Dorajet Imeri vlerëson se qeveria e re duhet të intensifikojë partneritetin ushtarak dhe diplomacinë ekonomike me SHBA-të, si dhe të rrisë prezencën diplomatike për të adresuar tensionet në veri të Kosovës, duke përfshirë ndjekjen e autorëve të sulmeve në Banjskë të Zveçanit.











