Skenderaj: Nga 9 janari fillon aplikimi për dëmet nga vërshimet
Komuna e Skenderajt ka njoftuar fillimin e procesit të aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, që kanë prekur ekonomitë familjare dhe bizneset e qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, aplikimet do të nisin më 9 janar, ndërsa qytetarët e prekur ftohen të dorëzojnë kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve brenda afatit të caktuar.
Për aplikim, qytetarët duhet të paraqesin të dhënat personale, kopjen e letërnjoftimit, konfirmimin e llogarisë bankare, fotografi që dëshmojnë dëmet e shkaktuara, si dhe çdo dokument tjetër që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar.
Afati për dorëzimin e kërkesave është tetë ditë pune nga data e publikimit të njoftimit, ndërsa aplikimet dorëzohen personalisht në sportelin numër 13, në objektin e Komunës së Skenderajt.
Komuna bën të ditur se për informata shtesë qytetarët mund t’u drejtohen zyrave komunale gjatë orarit zyrtar të punës.











