#Lajme

Hetimi për BKS-në zgjerohet te “Reforma SH.P.K.”, dyshime për krime ekonomike dhe bastisje

Hetimi penal i nisur ditë më parë në lidhje me Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) është zgjeruar dhe tashmë në qendër të tij është përfshirë edhe personi juridik “Reforma SH.P.K.”, kompani e njohur që vepron në fushën e shitblerjes së veturave, servisimit dhe riparimeve pas aksidenteve.

Sipas dokumenteve gjyqësore dhe burimeve të afërta me hetimin, Gjykata Themelore në Prizren, me kërkesë të Prokurorisë, ka autorizuar bastisje dhe kontrolle të gjera në kuadër të dyshimeve për keqpërdorim të besimit, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe falsifikim dokumentesh, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.

“Reforma SH.P.K.” njihet si shitës dhe servis i autorizuar për brendet Volkswagen dhe Audi, si dhe për ofrimin e shërbimeve të riparimit të veturave pas aksidenteve. Pikërisht kjo veprimtari afariste, sipas burimeve, është vënë nën lupën e hetuesve për shkak të dyshimeve se është shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme përmes dokumentacionit dhe strukturës së kompanisë.

Burimet konfirmojnë se hetimi ndaj BKS-së dhe ai ndaj “Reforma SH.P.K.” janë pjesë e së njëjtës lëndë penale, me dyshime për ndërlidhje financiare dhe dokumentare mes palëve. Kompania dyshohet se ka pasur rol funksional në realizimin e veprimeve të dyshuara përmes kontratave, faturave, transaksioneve dhe dokumentacionit kontabël.

Hetimet po fokusohen në dyshime për keqpërdorim të besimit dhe autorizimeve ekonomike, falsifikim dhe përdorim të dokumenteve, bashkëkryerje në vazhdimësi si dhe përgjegjësi penale të personit juridik, përveç asaj individuale. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dokumente financiare, kontrata, dosje kontabël, si dhe pajisje elektronike që pritet të analizohen.

Bastisjet janë realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me autorizim gjykate, me synim zbardhjen e rrjedhës së parasë, verifikimin e vendimmarrjes brenda kompanisë dhe sqarimin e raporteve me BKS-në.

Rasti mbetet në fazë aktive të hetimit dhe nuk përjashtohet zgjerimi i tij me subjekte apo persona të tjerë, si dhe ndërmarrja e masave shtesë procedurale në ditët në vijim.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *