Aksion i gjerë i Prokurorisë së Prizrenit në disa qytete të Kosovës, disa persona arrestohen
Prokuroria Themelore e Prizrenit, në bashkëpunim me Njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, është duke zhvilluar një aksion të gjerë policor në disa qytete të vendit. Operacioni po realizohet nën udhëheqjen e një numri të madh prokurorësh dhe zyrtarësh policorë.
Sipas raportimeve të “Betimi për Drejtësi”, deri tani janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës. Burime brenda këtij mediumi bëjnë të ditur se aksioni lidhet me dyshime për kryerjen e veprave penale si “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Operacioni është ende në zhvillim, ndërsa autoritetet pritet të japin detaje shtesë pas përfundimit të veprimeve hetimore.











