Normalizohet situata nga vërshimet edhe në Rahovec
Pas reshjeve të dendura që dje prekën disa zona të komunës së Rahovecit, përfshirë Fortesën dhe Ratkocin, situata sot paraqitet më e qetë dhe nën kontroll.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili tha se autoritetet komunale janë duke u marrë me sanimin e pasojave të shkaktuara, kryesisht në infrastrukturën rrugore, si dhe me ofrimin e ndihmës për qytetarët që kanë pasur nevojë.
Sipas tij, në zonat më të rrezikuara si Fortesa dhe Ratkoci nuk ka pasur nevojë për evakuime, ndërsa në fshatin Çifllakë është ndërhyrë për t’u ndihmuar dy gra të moshuara, situatë që tashmë është tejkaluar.
Latifi theksoi se shtabi emergjent i Rahovecit mbetet aktiv dhe po vazhdon monitorimin e zonave të prekura, duke u bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm për shkak të reshjeve të mundshme në ditët në vijim.











