#Lajme

Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit në rastin e shpërthimit në Ibër-Lepenc

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu nga rasti që lidhet me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e PSRK-së, Arbnora Luta, e cila ka bërë të ditur se kërkesa e mbrojtjes është konsideruar e pabazuar.

Në këtë rast, për sulmin e ndodhur më 29 nëntor 2024, akuzohen vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq.

Kërkesa për përjashtimin e prokurorit ishte parashtruar në seancën fillestare të mbajtur më 24 dhjetor 2025 nga mbrojtja e Jovan Viqentijeviqit dhe ishte mbështetur edhe nga mbrojtësit e dy të akuzuarve të tjerë, çka kishte çuar në ndërprerjen e seancës.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 9 dhjetor 2024, duke i ngarkuar të akuzuarit për vepra të rënda penale, përfshirë rrezikimin e rendit kushtetues dhe kryerjen e veprës terroriste, lidhur me vendosjen e rreth 20 kilogramëve eksploziv në infrastrukturën publike të kanalit Ibër-Lepenc.

Sipas aktakuzës, shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërprerje të furnizimit me ujë dhe rrezikim të prodhimit të energjisë elektrike, me dëme që vlerësohen mbi 376 mijë euro.