17-vjeçari nga Ferizaj shkakton aksident pasi nuk iu bind urdhrit të policisë
Njësitë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj kanë ndërhyrë ndaj një të mituri pas një incidenti të ndodhur më 5 janar, ku janë evidentuar disa shkelje serioze të rregullave të trafikut.
Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari E. A., 17 vjeç, duke drejtuar një automjet të tipit VW Golf me targa vendore, nuk është ndalur në shenjën “STOP” të dhënë nga zyrtarët policorë në rrugën “Rexhep Bislimi”.
Pas mosndaljes, i njëjti ka vazhduar lëvizjen dhe në rrugën magjistrale në fshatin Bibaj ka shkaktuar një aksident trafiku me dëme materiale, pasi është përplasur me një automjet tjetër.
Gjatë kontrollit, policia ka konstatuar se i riu nuk posedonte patentë shoferi, ndërsa automjeti që drejtonte ishte i paregjistruar, me afat regjistrimi të skaduar që nga data 13 tetor 2024.
Për shkeljet e konstatuara janë shqiptuar disa masa ndëshkuese, përfshirë gjobë prej 150 eurosh për mosndalje në shenjën “STOP” të policisë, 250 euro për shkaktim të aksidentit, si dhe 200 euro për drejtim të automjetit me regjistrim të skaduar. Po ashtu, është iniciuar rast për procedurë gjyqësore për drejtim të automjetit pa patentë shoferi, ndërsa automjeti është konfiskuar përkohësisht.
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar tek qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik.











