#Lajme

Zbulohet rast i drogës brenda Burgut të Dubravës, i dyshuari kapet në flagrancë

Një rast i rëndë i posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve është zbuluar më 31 dhjetor 2025, rreth orës 13:50, brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës, në komunën e Istogut.

Sipas burimeve brenda hetimit, rasti është trajtuar nga Njësiti për Hetimin e Trafikut të Narkotikëve (DHTN) – Pejë, pas raportimit nga zyrtarët korrektues të burgut.

Gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, oficerët korrektues kanë vërejtur të dyshuarin S. M., rreth 32 vjeç, duke hedhur një send të dyshimtë nga dritarja e Pavijonit nr. 4, në drejtim të shëtitores së Pavijonit nr. 3.

Pas reagimit të menjëhershëm, zyrtarët kanë gjetur dy qese me substancë të dyshuar narkotike, e cila pas ekzaminimit ka rezultuar të jetë marihuanë, me peshë të përgjithshme rreth 7 gramë.

Lidhur me rastin dhe provat materiale është njoftuar prokurori kujdestar kompetent, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal për veprën penale “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar nga Njësiti i DHTN-së – Pejë.