Tahiri mbetet jashtë Kuvendit, falënderon mbështetësit dhe paralajmëron vazhdimin e angazhimit politik
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, nuk ka arritur të sigurojë një mandat në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Tahiri, i cili për tri mandate radhazi ka qenë deputet dhe njëkohësisht ish-shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka mbetur jashtë Kuvendit për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave.
Ai ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë, duke theksuar se pavarësisht rezultatit, do të vazhdojë angazhimin e tij politik brenda strukturave të PDK-së. Tahiri ka deklaruar se besimi i marrë nga votuesit e obligon të vazhdojë të kontribuojë në shërbim të vendit dhe interesit qytetar.
“Ndonëse votat nuk mjaftuan për një mandat të ri, mbështetja juaj mbetet një përgjegjësi e madhe për mua. Do të vazhdoj të jem zëri juaj dhe të angazhohem me përkushtim për të dhënë më të mirën”, ka shkruar ai, duke shtuar se nuk do të ndalet në angazhimin e tij politik.
Në këto zgjedhje, Tahiri ka marrë 16 mijë e 767 vota, të cilat nuk kanë qenë të mjaftueshme për të siguruar një nga 23 ulëset që PDK-ja ka fituar në Kuvend.
Sipas rezultateve përfundimtare, përfshirë edhe votat me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate, PDK-ja 23, Lidhja Demokratike e Kosovës 14 mandate, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 mandate, ndërsa komunitetet joshumicë 20 ulëse.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 45.03 për qind, apo mbi 900 mijë votues nga rreth 2 milionë qytetarë të regjistruar. Procesi zgjedhor është zhvilluar në 948 qendra votimi brenda vendit, ndërsa votimi jashtë Kosovës është mbajtur në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme.











