Osmani: Situata nga vërshimet kërkon kujdes maksimal, FSK-ja e gatshme për ndërhyrje
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se gjendja e krijuar nga vërshimet në vend kërkon vigjilencë dhe kujdes maksimal nga të gjithë qytetarët. Ajo ka falënderuar institucionet përgjegjëse dhe qytetarët për reagimin e shpejtë dhe profesional ndaj situatës.
Osmani ka bërë të ditur se gjatë ditës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura, me qëllim të koordinimit sa më efikas të veprimeve në terren. Sipas saj, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po vepron pa ndërprerje në bashkëpunim me organet e rendit.
Presidentja ka theksuar gjithashtu se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë, nëse paraqitet nevoja. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve kompetente, duke nënvizuar se bashkëpunimi dhe reagimi profesional janë kyç për menaxhimin me sukses të situatës.











