Trump e cilëson “të shkëlqyer” operacionin për arrestimin e Maduros
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se operacioni ushtarak gjatë të cilit u arrestua presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka qenë “i shkëlqyer”, duke pranuar se gjatë tij janë vrarë “shumë, shumë” shtetas kubanë.
Këto komente Trump i bëri gjatë një fjalimi para republikanëve në Washington, të martën. Sipas raportimeve, 32 shtetas kubanë humbën jetën kur forcat elitare amerikane sulmuan kompleksin e Maduros dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, në Karakas, të shtunën.
Ndërkohë, në kryeqytetin venezuelian është rritur prania e forcave të sigurisë. Policia e armatosur rëndë është parë duke patrulluar rrugët e Karakasit, siç shihet edhe në një imazh të publikuar nga ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello. Në një video të shpërndarë në internet, forcat e sigurisë dëgjohen duke thirrur: “besnikë gjithmonë, tradhtarë kurrë”.
Reagime ka pasur edhe nga opozita. Udhëheqësja e opozitës venezueliane në mërgim, Maria Corina Machado, e ka cilësuar arrestimin e Maduros si “një hap të madh për njerëzimin, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor”.











