#Lajme

Situatë e rënduar nga vërshimet në Drenas, evakuohen disa familje

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime përgjatë lumit Drenica, duke rënduar situatën në disa zona të Komunës së Drenasit. Si pasojë, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme.

Autoritetet komunale bëjnë të ditur se, për shkak të rrezikut nga përmbytjet, disa familje janë detyruar të evakuohen, ndërkohë që në disa zona është ndërprerë edhe furnizimi me energji elektrike.

Sipas njoftimit të komunës, është bllokuar rruga nga Drenasi drejt Komoranit, në pjesën e njohur si “Trafoja”, si dhe rruga nga Feronikeli drejt Kronit të Mbretit. Niveli i lartë i ujit është evidentuar edhe në Komoran, Çikatovë të Vjetër dhe në disa lagje të tjera të komunës.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe shmangie të lëvizjeve të panevojshme, duke rekomanduar përdorimin e rrugëve alternative. Kalimi nga Drenasi drejt magjistrales këshillohet të bëhet përmes Shtrubullovë–Krajkovë–Llapushnik, ose përmes aksit Drenas–Damanek–Krajkovë–Llapushnik.

Po ashtu, autoritetet lokale kanë falënderuar qytetarët që me automjetet e tyre private kanë ndihmuar ekipet emergjente në menaxhimin e situatës.

“Ekipet kompetente janë në terren dhe po punojnë për të lehtësuar gjendjen, duke monitoruar vazhdimisht situatën. Çdo informacion shtesë do të publikohet me kohë,” thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *