Ish-drejtori i ATK-së nuk arrin të sigurojë ulëse në Kuvend
Ish-drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Iliur Murtezaj, nuk ka arritur të zgjidhet deputet në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor. Ai ishte kandidat në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Murtezaj ka marrë gjithsej 13 mijë e 41 vota, të pamjaftueshme për të siguruar një mandat deputeti.
Ndërkohë, PDK-ja në përbërjen e re të Kuvendit do të ketë 22 deputetë, një më pak krahasuar me numrin fillestar prej 23 ulësesh. Humbja e një mandati erdhi si pasojë e votave të diasporës, të cilat i siguruan Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, një deputet shtesë, në dëm të partisë së udhëhequr nga Bedri Hamza.











