#Lajme

KPK-ja në fund të vitit 2025 në qendër të akuzave dhe kundërakuzave

Këshilli Prokurorial i Kosovës u përfshi në debate dhe përplasje publike gjatë muajve të fundit të vitit 2025, pas një sërë akuzash mes figurave të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.

Situata u tensionua pas vendimit të 20 nëntorit për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, një ditë pasi ai kishte dëshmuar në Prokurorinë Speciale. Kelmendi e ka dërguar rastin në gjykatë, duke e cilësuar vendimin të paligjshëm, ndërsa kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, ka deklaruar se vendimi është marrë në përputhje me ligjin.

Organizata monitoruese të drejtësisë e kanë cilësuar vendimin arbitrar dhe abuziv, duke ngritur shqetësime për ndikime të brendshme dhe mungesë reformash. Për ndryshime ka bërë thirrje edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Reformat në KPK pritet të fuqizohen në janar 2026, kur pesë anëtarëve aktualë u përfundon mandati pa të drejtë rizgjedhjeje. Ndryshimet ligjore parashohin zvogëlimin e numrit të anëtarëve nga 13 në 7 dhe përfshirjen e anëtarëve joprokurorë, me synim rritjen e funksionalitetit dhe pavarësisë së institucionit.