Thaçi ankohet në Kushtetuese për shkelje të të drejtave: Bisedat private u incizuan fshehtas
Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Hagës, duke pretenduar se të drejtat e tij themelore janë shkelur në rastin e pengimit të drejtësisë.
Sipas parashtresës së mbrojtjes, Thaçi është viktimë e vendimeve të caktuara nga gjyqtarë që nuk janë emëruar në përputhje me ligjin, të cilat autorizuan regjistrimin e fshehtë të vizitave dhe telefonatave të tij, sekuestrimin e kompjuterit, kufizimin e vizitave dhe vazhdimin e paraburgimit, si dhe ngritjen e aktakuzës në Rastin 12 të Prokurorisë Speciale.
Avokatët theksojnë se shkeljet e kryera njollosin procesin dhe nuk mund të korrigjohen më vonë, duke argumentuar se provat janë mbledhur në mënyrë jo të ligjshme dhe aktakuza nuk është lëshuar në përputhje me Ligjin e Gjykatës Speciale.
Mbrojtja kërkon që të konfirmohet shkelja e të drejtave të Thaçit, duke vënë në dukje se urdhrat për regjistrimin e fshehtë të bisedave dhe sekuestrimin e pajisjeve personale kanë cenuar privatësinë e tij dhe kanë dëmtuar vlefshmërinë e aktakuzës.











