#Lajme

Mbi 2.8 milionë euro për mirëmbajtjen dimërore të autoudhëve A7 dhe A6

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka finalizuar kontratat për mirëmbajtjen dimërore të autoudhëve A7 “Ibrahim Rugova” dhe A6 “Arbën Xhaferi”, me synim rritjen e sigurisë rrugore gjatë sezonit dimëror, raporton IndeksOnline.

Kontratat përfshijnë pastrimin e borës, shkrifetimin, trajtimin kundër akullit dhe largimin e borës nga rrugët, shërbime të domosdoshme për qarkullim të sigurt në kushte të vështira atmosferike.

Marrëveshjet janë të ndara në katër lote, ndërsa vlera e përgjithshme e kontratave arrin në 2,895,700 euro. Zbatimi i planit të mirëmbajtjes do të mbikëqyret nga Departamenti për Menaxhimin e Rrugëve në kuadër të ministrisë.

Ministria ka sqaruar se publikimi i kontratave është bërë pas përfundimit të shqyrtimit të lëndës nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).