#Lajme

Kosova me dhjetëra institucione të drejtuara nga ushtrues detyre

Kosova vazhdon të funksionojë me dhjetëra pozita kyçe të udhëhequra nga ushtrues detyre, duke nisur nga Qeveria në detyrë prej gati një viti e deri te shumë institucione shtetërore.

Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me ushtrues detyre janë disa pozita të rëndësishme, përfshirë Thesarin, Njësinë për Inteligjencë Financiare, Agjencinë Qendrore të Prokurimit dhe Inspektoratin Qendror të Punës. Edhe Ministria e Drejtësisë ka një sërë institucionesh të drejtuara nga ushtrues detyre, si Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me ushtrues detyre vazhdojnë të funksionojnë Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, ndërsa situatë e ngjashme është edhe në ministri të tjera.

Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, ka përfunduar mandati i Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të tij, por ata vazhdojnë detyrën deri në emërime të reja. Jo funksionale për mungesë bordi mbeten edhe KPM-ja dhe Bordi i RTK-së.

Ndër pozitat më të rëndësishme me ushtrues detyre është ajo e Kryeprokurorit të Shtetit, procesi i emërimit të të cilit ka mbetur pezull. Po ashtu, Korporata Energjetike e Kosovës dhe KOSTT funksionojnë prej vitesh pa drejtues të rregullt.

Shoqëria civile ka kritikuar vazhdimisht institucionet, duke vlerësuar se po abuzohet me emërimet e ushtruesve të detyrës.