Kurti: Lufta hibride dhe spiunazhi në Kosovë në rënie falë koordinimit institucional
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaron se situata e sigurisë në vend është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është duke u zvogëluar. Sipas tij, kjo ka ardhur si rezultat i koordinimit të shtuar ndërmjet institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë.
Në një intervistë për KP, të parën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti tha se gjatë viteve 2024 dhe 2025 është arritur bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional, i cili ka prodhuar rezultate konkrete, përfshirë arrestime, masa paraburgimi dhe ngritje aktakuzash në raste të dyshuara për spiunazh nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Gjatë vitit 2025, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe institucionet e tjera të sigurisë kanë zbuluar disa raste të dyshuara për spiunazh. Mes të arrestuarve janë përmendur Fatmir Sheholli, i arrestuar më 9 tetor 2025 në Prishtinë, Bojan Jevtiq, toger i Policisë së Kosovës në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, Hysri Selimi, i arrestuar më 6 maj 2025 nën dyshimet për bashkëpunim me shërbimin sekret serb BIA, si dhe Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, e arrestuar më 28 shkurt 2025 pas hetimeve disa mujore.
Kurti theksoi se ky bashkëpunim ndërinstitucional ka ndikuar drejtpërdrejt në parandalimin e përpjekjeve për sabotim, dezinformim dhe destabilizim, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ai nënvizoi se Kosova po përballet me një luftë hibride të organizuar, duke përmendur Serbinë dhe aleatët e saj, përfshirë Federatën Ruse, si burime të këtyre përpjekjeve destabilizuese.
Sipas Kurtit, rreziku nga spiunazhi është aktualisht më i vogël se në të kaluarën dhe po vazhdon të bjerë, ndërsa proceset gjyqësore po zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe transparente, nën monitorimin e EULEX-it. Ai shtoi se qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim, por institucionet shtetërore duhet të mbeten vigjilente përballë kërcënimeve hibride dhe përpjekjeve për destabilizim.











