#Lajme

PZAP: 66 ankesa për zgjedhjet e 28 dhjetorit, më së shumti nga Vetëvendosje dhe LDK

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë të ditur se gjatë procesit të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, janë paraqitur gjithsej 66 ankesa.

Në një përgjigje për Telegrafin, PZAP ka njoftuar se numrin më të madh të ankesave e kanë dorëzuar subjektet politike, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Po ashtu, ankesa kanë paraqitur edhe Lista Serbe, Kosovski Savez, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, si dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Sipas PZAP-it, ankesat kryesisht lidhen me parregullsi të ndryshme gjatë procesit zgjedhor, si vendosja e materialeve promovuese në hapësira publike, shfrytëzimi i resurseve publike të institucioneve, ndikimi në votues, si dhe kundërshtimi i vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Paneli ka theksuar se të gjitha ankesat po trajtohen në përputhje me procedurat ligjore dhe brenda afateve të përcaktuara, me synim garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe transparent për të gjitha subjektet politike dhe qytetarët.