Pamje të reja nga SHBA: Maduro i prangosur dhe i rrethuar nga agjentë amerikanë
Vazhdojnë të qarkullojnë pamje të reja të presidentit venezuelian Nicolas Maduro në territorin amerikan, ku ai shihet me pranga në duar, i veshur me papuçe dhe bluzë me kapuç, i rrethuar nga agjentë të Agjencisë Amerikane kundër Drogave (DEA) dhe të Hetimeve të Sigurisë Kombëtare.
Fotografitë e publikuara në rrjetin social X tregojnë Maduron nën masa të rrepta sigurie, në disa momente të ndryshme pas arrestimit. Në disa prej tyre, ai shihet i ulur në një karrige, i rrethuar nga zyrtarë amerikanë, ndërsa në të gjitha pamjet duket i prangosur.
Në një tjetër fotografi, Maduro shfaqet përpara një aeroplani menjëherë pas uljes në New York, duke konfirmuar transferimin e tij në SHBA.
Sipas raportimeve, agjentët e inteligjencës amerikane e kishin vëzhguar në mënyrë të fshehtë çdo lëvizje të Maduros që nga muaji gusht, pavarësisht se ai kishte ndryshuar shpesh vendndodhjen për të shmangur ndjekjen, në një kohë kur tensionet mes Karakasit dhe Uashingtonit ishin në rritje.











