Vuçiç sulmon Shqipërinë dhe Kosovën: Aleancë kërcënuese për Serbinë, Rezoluta 1244 e cenuar
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar ashpër pas një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke deklaruar se rendi ndërkombëtar ka pësuar kolaps dhe se Karta e Kombeve të Bashkuara nuk po respektohet më.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit ndërkombëtare, përfshirë operacionin amerikan në Venezuelë, Vuçiç tha se “ligji i forcës dhe i më të fortit” ka zëvendësuar parimet mbi të cilat, sipas tij, ishte ndërtuar rendi botëror.
Në këtë kontekst, ai shprehu shqetësim të thellë për, siç e quajti, armatosjen e vazhdueshme të Kosovës, duke pretenduar se kjo po bëhet në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244, të cilën e cilësoi si të pezulluar në praktikë nga disa fuqi të mëdha, por ende në fuqi ligjërisht.
Vuçiç veçoi si kërcënim serioz për sigurinë e Serbisë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke pretenduar se kjo aleancë po zgjerohet në fusha të ndryshme, përfshirë zhvillimin e përbashkët të sistemeve ushtarake dhe armatimeve të avancuara.
Sipas tij, Serbia po e monitoron nga afër këtë situatë dhe po përgatitet për t’u mbrojtur ndaj asaj që ai e quajti kërcënime të hapura ndaj vendit. “Forca jonë do të jetë një pengesë e mjaftueshme”, deklaroi Vuçiç, duke theksuar se Beogradi është i gatshëm të mbrojë sigurinë dhe interesat e tij kombëtare.











