#Lajme

Avokati i Popullit: Krizat institucionale dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore po rëndojnë qytetarët

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka vlerësuar se viti 2025 është shoqëruar me mungesë të institucioneve funksionale, veçanërisht të Kuvendit, duke ndikuar negativisht në mbikëqyrjen demokratike, miratimin e ligjeve dhe jetën e qytetarëve.

Ai theksoi se si pasojë e kësaj situate kanë mbetur të bllokuara ligje të rëndësishme, ndërsa qeveria në detyrë ka pasur vështirësi në marrjen e vendimeve afatgjata. Sipas Qelajt, ndryshimet në prioritetet globale dhe masat ndaj Kosovës kanë goditur më së shumti qytetarët dhe sektorët socialë.

Në sistemin e drejtësisë, Qelaj veçoi si problem serioz moszgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe rënien e besimit të qytetarëve, ndërsa për gjyqësorin tha se zvarritja e procedurave mbetet shqetësimi kryesor.

Në veçanti, ai ngriti alarmin për shëndetësinë, duke theksuar se për më shumë se një dekadë nuk është zbatuar Ligji për Sigurime Shëndetësore. Mungesa e sigurimeve dhe e barnave nga lista esenciale, sipas tij, po i detyron qytetarët të përballojnë kosto të rënda financiare, çka mbetet një sfidë serioze për vitin e ardhshëm.